Inaugurohet Komiteti Nacional Koordinues ne kuader te Open Government Partnership - OGP


29 Tetor, 2021 Sot, është zhvilluar ceremomia e inagurimit të Komitetit Nacional Koordinues në kuadër të Open Government Partnership – OGP. Gjatë këtij inagurimi të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasniqi, Udhëheqësi i OGP Kosovës z. Fidan Kalaja, përfaqësues qeveritar si dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e përfshirjës së organizatave të shoqërisë civile në proceset qeveritare, duke përmendur rastin e OGP-së, si një nga temat në të cilat duhet koordinim i plotë dhe i vazhdueshëm në mes të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile. “Jam i kënaqur kur shoh kaq shumë udhëheqës nga shoqëria civile, gra dhe burra që mbrojnë barazinë, mundësitë, drejtësinë dhe lirinë çdo ditë. Dhe nuk është gjithmonë e lehtë për të bërë këtë, sepse gjatë historisë, përparimi është nxitur gjithmonë nga qytetarët që kanë guximin të ngrenë zërin e tyre dhe të mendojnë jo vetëm atë që është aktuale, por çfarë mund të jetë e rëndësishme për të ardhmen, dhe që janë të gatshëm të punojnë për të sjellë ndryshimin që ata kërkojnë.”

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, përmendi rëndësinë e anëtarsimit të Republikës së Kosovës në OGP. “Ekzistojnë një sërë përfitimesh me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. E para Republika e Kosovës do të përfitonte anëtarësim si shtet i pavarur në një mekanizëm ndërkombëtar që është edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës. E dyta do të mundësonte zbatimin e parimit për transparencë radikale në qeverisjen e Qeverisë Kurti II. Do të strukturonte bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin e biznesit. Më e rëndësishmja është se qeverisja e hapur dhe transparente është parakusht për luftimin e korrupsionit brenda institucioneve publike. Me luftimin e korrupsionit vendi ynë bëhet vend atraktiv dhe i sigurt për investime private nga jashtë dhe brenda Kosovës. Më këtë anëtarësim Republika e Kosovës do të bëhet pjesë e vendeve me demokraci të zhvilluar e cila promovon qeverisje transparente dhe që do të ndikonte në reformimin dhe efikasitetin e shërbimeve publike”.

Gjithashtu, përfaqësues nga Organizatat e Shoqërisë Civile, vlerësuan lartë gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, duke treguar mbështetje të plotë përgjatë gjithë procesit. Procesi i OGP-së për Republikën e Kosovës, konsiderohet prioritet i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për arsye të profilit të organizatës e cila është krijuar nga përfaqësues qeveritar dhe shoqërisë civile në mënyrë që të ketë qeverisje të hapur e transparente, pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje, gjithpërfshirje dhe qeverisje llogaridhënëse me qëllim të përmirësimit të politikave dhe shëbimeve publike.